Përdorimi i substancave narkotike është shndërruar në dukuri tejet shqetësuese. Çdo ditë raportohen dhjetëra raste kur Policia kap në flagrancë persona të cilët janë kryesisht të moshave të reja, me lloje të ndryshme të narkotikëve, të cilat zakonisht i kanë për konsum personal, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë kanë ndalur për kontroll një të ri.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur tek 26-vjeçari sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Narkotikët janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.