image Të paraburgosurit në Hagë ankohen për ushqimin, vizitat dhe orarin e shkurtër të shëtitjeve

Drejtësi

Të paraburgosurit në Hagë ankohen për ushqimin, vizitat dhe orarin e shkurtër të shëtitjeve

news image

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë i kryesuar nga zëvendësministri, Blerim Sallahu, ka vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.

Përveç me zyrtarë të kësaj qendre, ata janë takuar edhe me të paraburgosurit që po mbahen në këtë qendër.

“Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në kumtesën e MD-së.

Nga kjo ministri është bërë e ditur se të paraburgosurit kanë shprehur shqetësimin e tyre ndër të tjera, për procedurat e komplikuara të vizitave, shujtat e njëjta javore, me orarin e shkurtuar të shëtitjeve.

“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.”

“Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë”, njoftoi Ministria e Drejtësisë./Gazeta Sinjali/