image Të paktën 7 të vdekur nga tërmeti në Kroaci

Evropë

Të paktën 7 të vdekur nga tërmeti në Kroaci

news image

Të paktën shtatë persona kanë vdekur si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që e ka goditur Kroacinë të martën, përcjellë Gazeta Sinjali.

Qendra Sizmologjike Euro-mesdhetare (EMSC) tha se fuqia e tërmetit ishte 6.4 shkallë të Rihterit.

Në orët e mbrëmjes, zona u godit edhe nga një tërmet tjetër, ndonëse me fuqi më të vogël: 3.9 shkallë.

Kryeministri i Kroacisë Andrej Pllenkoviq njoftoi fillimisht për vdekjen e një vajze 12 vjeçe në qytetin Petrinja.

Ndërsa, Kryebashkiaku i qytetit Glina, Stjepan Kostanjeviq, tha se trupat e katër personave të vrarë në tërmet, janë nxjerrë nga rrënojat në këtë qytet.

Pak kohë më vonë, ministri i Mbrojtjes, Tomo Medved, njoftoi se pesë njerëz të vdekur janë gjetur në Glinë.

“Fatkeqësisht, këtu në Glinë, si rezultat i këtij tërmeti shkatërrues, kemi viktima të mëdha. Këtu në Majska Polana, tani kemi pesë të vdekur. Me një vajzë nga Petrinja, janë gjithsej gjashtë vetë që vdiqën në tërmet”, tha ministri Medved gjatë vizitës në Glinë.

Zjarrfikësit, në orët e mbrëmjes, gjetën edhe trupin e një burri të vdekur nën rrënojat e një kishe në fshatin Zhazhina.

Sipas televizionit shtetëror kroat, shumë njerëz janë ende nën rrënoja dhe ekipet e shpëtimit janë në kërkim të të mbijetuarve.

Tërmeti është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Qendra Sizmologjike Euro-mesdhetare tha se epiqendra e tij ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e tij janë në terren.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës.

“Vitin e kaluar Durrësi dhe ky është praktikisht një tërmet me fuqinë e njëjtë. Do të duhen shumë para. Kjo do të kalojë përmes Bashkimit Evropian. Nuk shqetësohem, ky qytet do të rindërtohet, por askush nuk mund të kompensojë dëmin emocional. Petrinja do të rindërtohet me para nga BE-ja”, tha Millanoviq.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.
Centrali bërthamor në Krshko të Sllovenisë është mbyllur si masë paraprake, tha të martën zëdhënësja e uzinës.

“Unë mund të konfirmoj mbylljen si masë parandaluese”, i tha AFP -së Ida Novak Jerele.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet më i butë, prej 5.2 shkallësh të Rihterit, dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa.

Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh.

Në muajin mars, një tjetër tërmet prej 5.3 shkallësh të Rihterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën.

/Gazeta Sinjali/