Ndonëse shumica e qytetarëve po i caktojnë terminet për t’u vaksinuar, atyre po u duhet që të presin gjatë para hyrjes së qendrave të vaksinimit. E gjithë kjo pritje po bëhet për të kryer shërbimin për të cilin ata kanë shkuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Një pritje e tillë ka ndodhur sot në Qendrën e Vaksinimit në Objektin e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Pejës.
Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka njoftuar se në këtë qendër nuk po respektohet orari i termineve dhe sipas këtij sinjalizuesi kjo po bëhet për shkak se punëtorët shëndetësorë po punojnë ngadalë në procesin e dhënies së vaksinave.
Sinjalizuesi ka njoftuar se terminin për vaksinim me dozën e dytë e ka pasur për ditën e sotme, mirëpo pas një pritje pothuajse një orëshe është kthyer për në shtëpi.
“Jo nuk pata durim me prit. 1 orë kom prit edhe u largova se nuk pat lëvizje edhe polici aty po nuk e kontrollojke situatën hiq”, ka thënë ky sinjalizues për Sinjalin.
Tutje sipas këtij sinjalizuesi në këtë qendër janë vaksinuar edhe persona që kanë hyrë pa radhë brenda objektit. Sinjalizuesi ka thënë se kjo është mundësuar për “të njofshmit e policit“.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci, i cili ka thëne se një rrëmujë e tillë e qytetarëve po bëhet për shkak të dy llojeve të termineve që janë duke u caktuar për vaksinim.
“Është një dyndje e jashtëzakonshme edhe janë dy lloje të termineve që caktohen. Një caktohet përmes e-Kosovës dhe një tjetër caktohet prej sistemit të termineve që është te qendra e vaksinimit. Kjo ka bërë që kërkesa e madhe e qytetareve me pas rrëmuja të tilla. Normalisht që policia nuk është në gjendje t’i përballoj për shkak që njerëzit presin me radhë edhe nuk i respektojnë rregullat e pritjes.“
“Por, vaksinimi është duke u kryer në shifra maksimale me kapacitetet që i kemi, janë diku 1200 qytetarë në ditë të cilët vaksinohen nga 10 ekipet vaksinuese që i kemi“, ka thënë ai për Sinjalin.