image Të ngjashme me euron, zbulohet si do jenë kartëmonedhat e reja shqiptare

Rajon

Foto/ Të ngjashme me euron, zbulohet si do jenë kartëmonedhat e reja shqiptare

news image

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar kartëmonedhat e reja që do të qarkullojnë në Shqipëri. Sejko tha gjatë ceremonisë se prezantimi i këtyre kartëmonedhave vjen pas një pune 4-vjeçare, duke shtuar se kartëmonedhat do të dalin në qarkullim në mënyrë graduale. Kjo do ndodhë, deri në kohën që kartëmonedhat ekzistuese të mund të tërhiqen nga Banka Qendrore e të mbeten vetëm kartëmonedhat e reja.

“Prezantimi dhe hedhja në qarkullim e  serisë së re të kartëmonedhave përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për gjithë shtetin shqiptar. Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjo e kartëmonedhave të qarkullimit vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuara, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë”, thuhet në njoftimin e Bankës.

Pamja e serisë së re përfaqëson evoluim dhe përmirësim të dizajnit të përgjithshëm dhe elementeve specifike të paraqitura në to, duke u kujdesur për një ekuilibër midis modernes dhe traditës.

Seria e re e kartëmonedhave shqiptare përbëhet nga 6 prerje: 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, 2000 Lekë, 5000 Lekë dhe 10000 Lekë. Hedhja në qarkullim e kësaj serie planifikohet të bëhet gradualisht sipas këtij rendi:

  • kartëmonedhat 200 Lekë dhe 5000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019;
  • kartëmonedhat 10000 Lekë dhe 1000 Lekë do të hidhen në qarkullim duke filluar nga viti 2020;
  • kartëmonedha 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2021;
  • kartëmonedha 500 Lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.

Seria e re sjell për herë të parë një kartëmonedhë në polimer, atë 200 Lekë. Polimeri është një material plastik dhe përfaqëson një inovacion në industrinë e prodhimit të parasë, duke qenë më rezistent në përdorim se letra. Përgjithësisht, kartëmonedhat me vlerë nominale të ulët janë ato që kanë normë më të lartë konsumi nga përdorimi, ndaj përdorimi i një materiali më rezistent për to ka rezultuar më eficient.

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Ato do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor dhe të shërbejnë si mjet pagese.