image Ekskluzive | Kapet me mbi 100 gram kokainë në Vërmicë, arrestohet 31-vjeçari nga Shqipëria

Ekskluzive

Ekskluzive | Kapet me mbi 100 gram kokainë në Vërmicë, arrestohet 31-vjeçari nga Shqipëria

news image

Një sasi e konsiderueshme kokaine është sekuestruar dje në Pikën Kufitare të Vërmicës, ndërsa në pranga ka përfunduar një shtetas i Shqipërisë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjatë kontrollit të detajuar të një veture Mercedes me targa shqiptare, zyrtarët kufitarë kanë hasur në një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike.

Bëhet fjalë për A. E., rreth 31-vjeçar, i cili po hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Pas sekuestrimit, substanca është testuar nga njësitë e antidrogës në Prizren dhe ka rezultuar të jetë kokainë, me peshë prej 104 gramë e 83 miligramë.

Sipas vlerësimeve fillestare të hetuesve, sasia e sekuestruar në tregun ilegal mund të arrijë vlerën e rreth 3 mijë e 500 eurove.

Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon iPhone 17 Pro Max, ndërsa automjeti është skanuar në skanerin e Doganës së Shqipërisë, por nuk janë gjetur sende të tjera të kundërligjshme.

Sinjali mëson se pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ku është intervistuar në prani të autoriteteve kompetente.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/