Seanca për rishikimin e buxhetit pritet të mbahet të mërkurën, 29 korrik.
Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Albert Kinolli, që njëherit është edhe deputet nga Grupi Parlamentar 6+.
“Siç po e shihni në këtë takim jemi duke u ballafaquar në mungesë kuorumit, për ta mbajtur këtë takim na nevojiten prej 18 anëtarëve sa janë pjesë e këtij Komisioni që u bien 10 deputetë. Ne për momentin jemi vetëm shtatë dhe jemi në pamundësi që ta mbajmë takimin… Në të kundërtën ne mund t’i rekomandojmë apo propozojmë seancës që në mungesë të kuorumit pa rekomandim të Komisionit për Komunitete dhe Kthim që në seancë të vendoset”, tha Kinolli.
Deputeti i LDK-së, Fetah Rudi theksoi se derisa në karrocë iu ka përgjigjur mbledhjes së këtij komisioni, nuk arrin të kuptojë përse deputetët e tjerë nuk janë në mbledhje.
“Nuk është vetëm një buxhet, por janë interesat e qytetarëve që dalin prej këtu. Mund të jetë një i infektuar, por të gjithë janë prekur, duhet të me marrë pjesë, të punojnë, të mbajnë përgjegjësinë dhe jo vetëm të bojkotojnë. Derisa unë në karrocë vij dhe i përgjigjem të tjerët nuk kanë arsye”, deklaroi Rudi.
Edhe deputeti Elmi Reçica theksoi se për hir të gjendjes së vështirë nga pandemia, PDK mbështet rishikimin e buxhetit dhe për hir të qytetarëve deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm për punën e tyre.
“Kemi një situatë që për çdo ditë e më tepër jemi duke pasur të infektuar, të vdekur, një gjendje vërtet veç nuk e ka formën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa ne as kuorum s’mund të bëjmë. Në anën tjetër shihen këto amendamente ku mendohet se është krejt gjendje normale. Këtë buxhet me amendamente pa amendamente e kisha votuar vetëm për hir të qytetarëve, përndryshe kurrë buxhet më të panatyrshëm dhe më jo të qartë nuk kam parë… Kur nuk ka vendimmarrje nëpër Komisione, seanca vendosë secilin rast”, tha Reçica.
Të pranishëm nuk ishin kryetarja e Komisionit nga radhët e Listës serbe Miljana Nikoliq dhe deputetët e tjerë nga kjo parti.
Këtë projektligj janë të obliguara të shqyrtojnë edhe Komisioni për Legjislacion dhe ai për Integrime Evropiane/Gazeta Sinjali/