image Të gjithë kundër Handkes, por në Graçanicë ai cilësohet apostull i së vërtetës

Nobeli/ Të gjithë kundër Handkes, por në Graçanicë ai cilësohet apostull i së vërtetës

news image

Aty ku një dekadë më parë i ishte dorëzuar “Kryqi i Princ Llazarit”, çmimi tradicional i ngjarjes poetike për Vidovdan, shkrimtari austriak Peter Handke është cilësuar apostull i së vërtetës për serbët e për Serbinë.

Të martën, më shumë se 100 veta janë mbledhur në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, në një akademi solemne, pak orë para asaj në Stockholm, ku i është dhënë “Nobeli” për letërsi ashtu sikurse edhe laureates së vitit të kaluar, shkrimtares polake Olga Tokarczuk, shkruan Koha Ditore.

Peshkopi Teodosije ka zbritur nga vetura fiks në orën 13:00, krahas obeliskut “MISSING” të artistit Goran Stojçetoviq, në oborrin e objektit kulturor, dedikim për serbët e zhdukur, peshkopi i Rashkë-Prizrenit fillimisht është takuar në një nga hapësirat e objektit me ata që e kanë organizuar akademinë. Me 25 minuta vonesë ka nisur ngjarja në skenën, ku pjesë e rekuizitave ishin veprat e Handkes të përkthyera në serbisht e dy flamuj të Serbisë në dy skaje. Prapavija gjatë gjithë kohës është mbuluar me fotografi të vizitave të shkrimtarit austriak në Kosovën e pasluftës. Në ceremoninë e organizuar nga Shtëpia e Kulturës në Graçanicë, institucioni kulturor “Matica Srpska” në Novi-Sad, Biblioteka Kombëtare në Graçanicë e Teatri Kombëtar Serb në Novi-Sad, Handke është vlerësuar si alamet shkrimtari e mbrojtës i së drejtave të serbëve.

Por, për dallim nga serbët në Graçanicë, përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Turqisë e Afganistanit kanë bojkotuar ceremoninë e çmimit “Nobel” në Stokholm. Në Graçanicë përkrahësi i politikës së Slobodan Milosheviqit është portretizuar si shkrimtar i madh që vizitonte shpesh serbët, të cilët kishin mbetur të jetonin në Kosovë.