Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e 39-të ku u morën disa vendime.
Kjo mund të ketë qenë mbledhja e fundit e Qeverisë Kurti, pasi sot në orën 11:00 do të mbahet seanca e Kuvendit ku pritet të votohet Qeveria e re.
Këto janë vendimet që u morën nga Qeveria në detyrë:
1. U ndanë 60,000 € për familjet e minatorëve që humbën jetën tragjikisht në Minierën e Artanës me 2 qershor 2020
2. U morën masat për parandalimin e keqpërdorimeve në Ndërmarrje Publike, të cilat përfshijnë:
2.1 Asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të caktojë pagë mbi 2.500,00 € në muaj për një zyrtar të saj, pa pëlqimin e ministrit përgjegjës.
2.2 Nevojën që çdo ndërmarrje publike qendrore të krijojë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale.
2.3 . Asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të lidhë kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjegjës, nëse kontrata përmban klauzolë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh ndërkombëtar, zbatimin e së drejtë së huaj ose detyrimpër të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar që tejkalon vlerën 5.000,00 €.
2.4 Çdo kontratë komerciale mes një ndërmarrjeje publike qendrore dhe një operatori ekonomik të regjistruar në Republikën e Kosovës duhet të jetë në njërën ose të dy gjuhët zyrtare.
2.5 Të gjitha ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetin e ndërmarrjes.
2.6 Secila ndërmarrje publike duhet të mirëmbajë faqen e saj zyrtare dhe të botojë dokumentet që kërkohet të jenë publike sipas ligjit.
2.7 Secila ndërmarrje që ofron shërbime për qytetarët duhet të mundësojë pagimin elektronik të faturava.
2.8 Ndërmarrjet publike qendrore në sektorin e ujërave duhet të planifikojnë zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale.
3. U shkarkua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Kompania Rajona e Ujësjellsit “Mitrovica” Sh.A, dhe u emëruar Bordi i Përkohshëm.
4. U aprovua propozimi për ndarjen e 12.000.000,00 € si mjeteve shtesë nga kontigjenca e Ministrisë së Finacave dhe Transfereve për MEPTINIS në shërbim të zbatimit të Pakos Fiskale Emergjente.
5. U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për fillimin e procedurave për themelimin e një mekanizmi të përbashkët me Republikën e Shqipërisë, për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.
6. Në linjë me pikën 12.4. të Programit të Qeverisë, kapitulli “Mërgata”, u aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për fillimin e procedurave për krijimin e mekanizmit për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar (Kartoni i Gjelbër) nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020. ./Gazeta Sinjali/