image Osmani flet për Asociacionin dhe Manastirin e Deçanit: S'mund të ketë qasje të ndarë

Politikë

Osmani flet për Asociacionin dhe Manastirin e Deçanit: S’mund të ketë qasje të ndarë

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se gjithçka rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, e një themelim me kompetenca ekzektive, është i ndaluar.

Ajo tha në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se në përgjithësi, formimin e asociacioneve monoetnike, Kushtuesja e ka ndaluar, ndërsa shtoi se është e çuditshme se si komuniteti ndërkombëtar nuk është njësoj i zëshëm për të gjitha temat.

“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet përpara çështja e zbatimit të Manastirit, pyetja është pse nuk është aq i zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Kushtetueses. S’mund të ketë qasje të ndarë, kjo nuk është çështje zgjidh e merr, të kërkohet të zbatohet vendimi për Manastirin e Deçanit, por jo edhe vendimi sa i përket Asociacionit”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se aktualisht, “topi” është në anën e Serbisë, pasi sipas saj, të paktën dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nuk i ka zbatuar.

“Sot nuk mendoj se duhet të heshtim, jo si politikë por të gjithë, kur Kosova akuzohet për diçka që nuk duhet të akuzohet, secili prej nesh duhet ta ngritë zërin për faktin se Serbia nuk i ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve. Pse Serbia në vend se t’i shpërbëjë strukturat kriminale që i ka në veri, në fakt vetëm sa shkon e i forcon”, tha Osmani.

/GazetaSinjali/