image Të gjitha propozimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë

Të gjitha propozimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë

news image

Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që të “ushtrojë presion diplomatik” për t’i dhënë fund krizës në veri të Kosovës.

Ky është i fundit në një seri propozimesh për uljen e tensioneve, që u ngritën qysh në fund të majit.

Asokohe, kryetarët shqiptarë të komunave në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Protestat që vazhdojnë, kanë kulmuar edhe në dhunë mes demonstruesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Bashkimi Evropian prezantoi një plan për zgjidhjen e krizës, i cili përfshin tërheqjen e policisë speciale të Kosovës nga veriu, transferimin e kryetarëve të komunave në objekte alternative, shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri dhe sanksionimin e demonstruesve që sulmuan trupat e KFOR-it, më 29 maj.

Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar për Marrëdhënie Etnike në Serbi, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk ka kapacitet apo autoritet mjaft të fortë për ta udhëhequr procesin e shtensionimit.

Mesazhi i senatorëve amerikanë

Tetë senatorë amerikanë, përfshirë demokratë dhe republikanë, kërkuan nga administrata e presidentit Biden që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ata paralajmëruan, gjithashtu, rishqyrtimin e mbështetjes së Kongresit, nëse Kosova dhe Serbia “nuk përmbahen” dhe “nëse nuk punojnë për shtensionimin” e situatës.

Ata kërkuan nga administrata Biden që të sigurojë edhe një raport për Senatin e SHBA-së mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të gati 600 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Ne i vlerësojmë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për qetësimin e krizës, por këto përpjekje nuk janë reciproke sidomos nga Kosova”, thanë senatorët amerikanë.

Në përgjigje, administrata amerikane tha se ndan të njëjtat shqetësime sikurse Kongresi, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

Çfarë parasheh plani i BE-së?

Më 27 qershor, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, prezantoi në Parlamentin Evropian një plan për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Plani përfshin tërheqjen e njësive speciale të policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri, zhvendosjen e kryetarëve nga objektet komunale – që shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe – në ndërtesa alternative, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe fillimin e procedurave gjyqësore kundër demonstruesve që sulmuan trupat e KFOR-it.

Nga Serbia kërkohet të mundësojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet eventuale, si dhe t’u ofrojë mbështetje autoriteteve përgjegjëse në veprimet kundër sulmuesve të KFOR-it.

Propozimi i Shqipërisë

Në të njëjtën ditë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, doli me propozimin për organizimin e një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë, për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Pas takimit me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Bruksel, Rama shfaqi shpresën se kjo ide do t’i sjellë në të njëjtën tryezë udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, ekipet e tyre, si dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe se atyre “nuk do t’iu lejohet të dalin pa marrëveshje”.

“Në të kundërtën do të përballeshin me të gjitha pasojat – gjë që do të ishte shumë e trishtueshme për të gjithë”, tha Rama.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se e mbështet idenë për një konferencë të tillë.

Pas takimit me Ramën, Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të përkeqësohet dhe se Brukseli po humb durimin.

“Situata kërkon lëvizje të shpejta, shtensionim dhe kërkim urgjent të zgjidhjes”, tha Borrell.

Si erdhi deri këtu?

Bashkimi Evropian nuk ka kapacitet ta zgjidhë krizën në Kosovë i vetëm dhe këtë problem duhet t’ua kalojë vendeve të Quint-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë – si dhe aleancës së NATO-s, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

“Në këtë rast konkret është shumë më e rëndësishme ajo që ndodh në linjën Beograd-Prishtinë-Uashington dhe NATO, sesa ajo që ndodh në Parlamentin Evropian dhe në Komisionin Evropian, sepse të dyja palët do ta dëgjojnë NATO-n”, thotë Janjiq.

Ai shton se në këto bisedime duhet të përfshihen edhe përfaqësues të drejtpërdrejtë të serbëve në Kosovë, si dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe.

Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, kanë filluar negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme.

Sipas Janjiqit, shtensionimi urgjent i situatës është i domosdoshëm, por se kjo, për momentin, nënkupton “shuarje të zjarrit”, që ka nisur qysh nga kriza e targave të makinave në mes të vitit 2022.

Në atë kohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zëvendësimin e targave që i lëshon Serbia në veri, me targa të Kosovës.

Janjiq thotë se BE-ja nuk ka arritur ta menaxhojë situatën.

“Borrell dhe Lajçak kanë thënë vitin e kaluar se po hyhet në një fazë të menaxhimit të konfliktit, por nuk kanë ndërmarrë asnjë masë. Ata kanë vazhduar të merren me politikën e normalizimit”, thotë Janjiq.

Ai beson se përgjegjëse janë edhe vendet e Quint-it, të cilat kanë pranuar ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, më 23 prill, edhe pse ato janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Sipas Janjiqit, faktori ndërkombëtar nuk e ka theksuar sa duhet përgjegjësinë e Beogradit zyrtar për rritjen e tensioneve.

“Në vitin 2022, Beogradi ka filluar ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë. Barrikadat janë tashmë traditë. Nga viti 2017, Beogradi ka mbajtur një sistem të tërë të institucioneve paralele atje [në veri të Kosovës], siç është ‘Mbrojtja Civile’. Këtë nuk do ta gjeni në asnjë raport të zyrtarëve evropianë”, thotë Janjiq.

Ai beson se korniza për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – e cila është krijuar në takimin në Ohër në muajin mars – është rruga e duhur politikisht, por thotë se “kur një ide e mirë vjen në një kohë të keqe”, ajo mund të rrënohet.

Në Ohër, Kosova dhe Serbia janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por hapat në këtë drejtim mungojnë ende.

/GazetaSinjali/