Përplasje të shumta e jo pak akuza ka pasur ndërmjet deputetëve në seancën e sotme të Kuvnedit.
Seanca, të cilën është kthyer ta drejtojë kryeparlamentarja Vjosa Osmani nisi me akuzat e deputetit të LVV-së, Liburn Aliut. Pas tij foli shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Osmani në një rast nuk ia dha fjalën kryeministrit Avdullah Hoti, i cili nuk foli më gjatë seancës dhe pas rreth një ore, doli nga Kuvendi për ta ndjekur agjendën e vizitave në ditën e parë si shef i qeverisë. Përveç kësaj, Vjosa Osmani u përplas me deputetë të partive të ndryshme, ndërsa nuk munguan as akuzat ndërmjet deputetëve të dy partive opozitare, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pati përplasje me pothuajse gjysmën e deputetëve të cilëve ua dha fjalën. Fillimisht, me Teuta Haxhiun e pati një diskutim për rendin e fjalimeve në Kuvend. Kjo e fundit tha se është në radhë për ta marrë fjalën. Reagimi i Osmanit ishte me ton të lartë. Ajo i tha Haxhiut se e di mirë rendin e deputetëve për ta marrë fjalën.
Më vonë Osmani u përplas edhe me deputeten e PDK-së, Besa Ismailin, e cila i tha se po qeshni me fjalët e deputetëve të tjerë.
“Nuk do të doja të iu shihja teksa qeshni me fjalët e deputetëve të nderuar”,- i ka thënë Ismaili – Osmanit.
Ndërsa Osmani i tha Ismajlit se “kritikat e tua i marr si kompliment”.
“Ku ishit ju zonja Ismajli kur kryetarët paraprak të këtij kuvendi, gratë deputete i ofendonin me gjuhë çnjerëzore banale, kur e ngritët zanin për një gjuhë të tillë, që po ju pengon buzëqeshja ime?”, replikoi kryeparlamentarja.
Pas përplasjeve verbale me deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiun dhe me deputeten e PDK-së, Besa Ismailit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani vazhdoi edhe me ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin.
Çështja për të cilën Ismaili e Osmani janë përplasur ka qenë një letër nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë me të dhënat për punën gjatë menaxhimit të pandemisë, të cilën Osmani tha se duhet ta kenë deputetët në Komisionin Parlamentar për hetimin e kësaj çështje. Ismaili e akuzoi Osmanin duke thënë se mund të jetë “e lajthitur” ose po e promovon shkeljen e ligjit.
“Kryetare ju referove diçkafit që po më shtin me besu në qoftë se je e lajthitur ose në qoftë se je duke promovu shkeljen e ligjit”, deklaroi Ismaili.
Ndërsa gjatë replikës, Osmani i tha Ismailit të mos bërtasë dhe se po e akuzon për fjalë të cilat ajo nuk i ka thënë.
“Z.deputet, për mua është e çuditshme si ju akuzoni për fjalë që unë fare nuk i thash. Për të qenë në krye të detyrës, në qoftë se mua më vjen një letër zyrtarisht nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, pra person, shërbyes civil që ka shërbyer edhe gjatë mandatit tuaj, edhe gjatë këtij mandati, edhe pse nuk jam e informuar kur ka filluar punën dhe – mos bërtit – dhe kjo letër zyrtare më dërgohet në cilësinë e kryetares së Kuvendit”, tha Osmani.
Në pjesën e fundit të seancës, deputetët e dy partive opozitare, Uran Ismaili nga PDK dhe Fitore Pacolli nga LVV janë përplasur verbalisht në seancën e sotme plenare të Kuvendit.
Teksa po diskutohej për Shëndetësinë dhe menaxhimin e situatës me pandeminë, Ismaili akuzoi LVV-në për qeverisje të keqe, ndërsa pati kritika për ngritje zëri e bërtima.
“Fitore Pacolli, po ta përmendi emrin, fol çka ta merr mendja. Unë kur i kam ndalë barnat që janë ble për kancer, ty kurrë zani nuk t’u ka ndi”, tha Uran Ismaili.
Më pas erdhi reagimi i Fitore Pacollit, e cila tha se Ismaili nuk mund të sillej në këtë mënyrë.
“I nderuar deputet, nuk mundesh as duke e ngritë zërin e as duke bërtitur këtu në foltore duke e ngritë gishtin, me i tregu dhe me i mbulu dështimet dhe korrupsionin e qeverisjes së PDK-së që 20 vjet”, tha ajo.
Ismaili i replikoi duke thënë se “po më vjen mirë që u mbledh i gjithë grupi parlamentar me të mësu çka me folë”.
“Fitore, më së pari po më vjen mirë që u mbledh i gjithë grupi parlamentar me të mësu çka me folë, kjo ke e para. E dyta, sa i përket qeverisjes sime, mendoj që e ka tregu puna të cilën e kam bë”, tha ai. /Gazeta Sinjali/