image Të akuzuarit për sulm ndaj Valon Sylës thonë se nuk pranojnë të gjykohen me ligje të Kosovës

Drejtësi

Të akuzuarit për sulm ndaj Valon Sylës thonë se nuk pranojnë të gjykohen me ligje të Kosovës

news image

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën është mbajtur shqyrtimi fillestar në të cilin të akuzuarit Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani janë mbrojtur në heshtje, duke mos pranuar që të gjykohen sipas ligjeve në fuqi por vetëm sipas ligjeve fetare.

Fillimisht, i akuzuari Lum Dervishi tha se nuk pranon të gjykohet me ligjet në fuqi, por se sulmin e bërë ndaj të dëmtuarit gazetarit Valon Syla nuk e mohoi.

“Nuk pranoj të gjykohem me këto ligje, nuk e kam mohu në stacion. E kam pranu në Prokurori, e pranoj edhe tash”, tha i akuzuari Dervishi.

Kurse, i akuzuari Kenan Hasani tha se mund të gjykohet vetëm më ligjet islame dhe se nuk e pranon gjykimin i cili po bëhet, raporton Betimi për Drejtësi.

“Veprimin edhe unë e pranoj çfarë ka ndodhë, mirëpo gjykimin nuk e pranoj sepse si mysliman duhna m’u gjyku vetëm me ligj islam, unë nuk deklarohem”, tha i akuzuari Kenan Hasani.

Dhe në fund, i akuzuari Okan Hasani tha se nuk mund të deklarohet dhe se nuk pranon një gjykim të tillë.

“Nuk mund të deklarohem”, tha i akuzuari i fundit Okan Hasani.

Më pas, gjykatësja Violeta Namani njoftoi mbrojtësit e të akuzuarve që në afat prej 30 ditësh kanë mundësinë për të paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin të provave.

/GazetaSinjali/