image Të akuzuarat për pjesëmarrje në ISIS, pranojnë fajin

Kosovë

Drejtësi/ Të akuzuarat për pjesëmarrje në ISIS, pranojnë fajin

news image

Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa, të akuzuarat për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, kanë pranuar fajin në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokurori special, Afrim Shefkiu, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë, gjithashtu as pala mbrojtëse avokatet: Marigona Shabani dhe Saranda Bytyqi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, të akuzuarat janë deklaruar fajtore për veprën penale, e cila u vihet në barrë.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurori Shefkiu, e as nga mbrojtëset e të akuzuarave dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, me arsyetimin se pranimi ishte bërë vullnetarisht nga të akuzuarat, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet 27 janar 2020, në ora 10:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 20 dhjetor 2019, ndaj Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa, për veprën penale “Organizimi  dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Ademi, më 18 maj 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll, më pastaj në qytetin Gazientep, ku ka qëndruar 2-3 ditë, më pastaj sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, me “kombibus” ka arritur në qytetin Gjarablus të Sirisë./ Gazeta Sinjali/