Taylor Swift ka shtyrë një koncert që do të performonte në Rio de Zhaneiro të shtunën, pasi një fanse vdiq pak para shfaqjes së saj të premten.
Vendimi erdhi pasi mijëra njerëz ishin tashmë në stadium si pjesë e turneut të saj të Eras, duke thyer rekord.
Duke postuar në Instagram, Swift tha: “Siguria dhe mirëqenia e fansave të mi, kolegëve interpretues dhe ekuipazhit duhet dhe do të jetë gjithmonë e para”.
Shfaqja e yllit të popit amerikan të hënën do të vazhdojë ende.
Në një deklaratë në Instagram, ylli i popit tha se ishte “i shkatërruar” nga vdekja e një fansi dhe se zemra i ishte “thyer”, duke shtuar: “Ajo ishte jashtëzakonisht e bukur dhe shumë e re”.
“Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por me zemër të copëtuar them se humbëm një fans më herët sonte para shfaqjes sime”, shkroi Swift.
Sipas organizatorëve, 23-vjeçarja Ana Clara Benevides Machado kishte kërkuar ndihmë në stadium pasi nuk ishte ndjerë mirë. Ajo u transferua në spital, por vdiq një orë më vonë.
Sipas gazetës braziliane Fohla De Sao Paolo, shkaku i vdekjes është dhënë si arrest kardiorespirator.
Taylor Swift, 33, tha se nuk do të ishte në gjendje të fliste për incidentin nga skena, sepse ndihej “e pushtuar nga pikëllimi” sa herë që përpiqej të fliste për të.
“Dua të them se tani e ndjej thellë këtë humbje dhe zemra ime e thyer shkon me familjen dhe miqtë e saj”.
Ajo shtoi se kjo ishte “gjëja e fundit” që ajo mendoi se do të ndodhte kur ajo solli turneun në Brazil.
Swift tha se kishte pak informacione të tjera rreth vdekjes.
Në videot dhe fotot e qarkulluara në mediat sociale, Swift u pa më vonë duke i kërkuar stafit në stadium që t’u jepte ujë fansave gjatë koncertit.
Në një moment, teksa këndonte All Too Well, ajo u pa duke hedhur një shishe me ujë në turmë.
Kryebashkiaku i Rios, Eduardo Paes, postoi në X (i njohur më parë si Twitter) se ajo që ndodhi ishte e papranueshme dhe ai u kishte kërkuar producentëve të shfaqjes disa ndryshime, duke përfshirë pika shtesë të shpërndarjes së ujit dhe më shumë shërbime emergjente në gatishmëri.
Ministri i Drejtësisë i Brazilit, Flávio Dino, gjithashtu postoi në X se tifozët duhet të lejohen të sjellin shishe uji në ambiente.
Ai urdhëroi kompaninë që organizon Eras Tour në Brazil, T4F Entertainment, që t’u sigurojë fansave ujë të pijshëm falas dhe lehtësisht të aksesueshëm.
Deklarata e ministrit erdhi pasi pjesëmarrësve të koncertit iu ndalua të sillnin shishet e tyre me ujë.
Swift mbërriti në Brazil në fillim të kësaj jave për turneun e saj rekord, me statujën e Krishtit Shpëtimtar të Rio de Janeiro-s, e ndriçuar për ta mirëpritur atë në vend.