image “Tani do të kemi një varr për t’i kujtuar”, fjalët e djalit që i varrosi sot eshtrat e babait të vrarë në Rezallë

Sociale

“Tani do të kemi një varr për t’i kujtuar”, fjalët e djalit që i varrosi sot eshtrat e babait të vrarë në Rezallë

news image

Shaban Deliu është banor i Rezallës i cili varrosi sot eshtrat e babait, të cilit i kishte hapur varrin shumë vite më parë, ndërsa për dy dekada nuk dinte asgjë për fatin e tij.

Ai tha se sot, pas gjetjes së trupit të të atit ndjehet më i lehtësuar.

“Sot kur i kemi gjetur trupat në Kizhevak të Serbisë ndjehemi disi të lehtësuar sepse pas kaq shumë vitesh eshtrat e tyre do të pushojnë të qetë dhe do të kemi një varr për t’i kujtuar si u flijuan për liri. Ne nuk do të ndalemi, do të kërkojmë drejtësi, do të kërkojmë llogari për çdo masakër”, tha Deliu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vazhdimësi do të kërkojnë drejtësi për krimet çnjerëzore që Serbia i ka kryer në Kosovë.

“Të pushkatuar me pothuajse te gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999 nga forcat shtetërore të Serbisë u rrëmbyen e groposën në varreza masive në Kizhevak e Rudincë të Serbisë, por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive, këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Kemi obligim që të bëjmë të gjithë sa mundemi e dimë që t’i premë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë. Të dashur familjarë jemi bashkë për të nderuar sot dëshmorët e martirët e për të mos lejuar harresën dhe mizoritë që ndodhen, jemi gjithmonë bashkë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë, nuk do të ndalemi derisa të sjellim drejtësi për ta”, deklaroi Kurti.

Ceremonia e varrimit është bërë nga Komuna e Skenderajt, kryetari i së cilës, Bekim Jashari tha se këto arkivole janë arkiva e cila argumenton se kush ishin kriminelët e luftës.

Në atë që njihet si Masakra e Rezallës ushtria e policia serbe kishin ekzekutuar 98 shqiptarë, ndër të cilët kishte pleq e të rinj, banorë të Tezallës dhe të fshatrave përreth, ku 44 prej tyre pastaj i kanë zhdukur, shkruan KP.

/Gazeta Sinjali/