Talibanët duan që kancelarja gjermane Angela Merkel të vizitojë Afganistanin, duke thënë se ajo ka një “vend të veçantë” për ta.
Në një intervistë të publikuar në gazetën gjermane Bild, zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, tha se grupi “vërtet do të mirëpriste” Merkelin në Afganistan, shkruan Anadolu.
“Duam të kemi një mjedis të fuqishëm dhe plotësisht të siguruar këtu në Afganistan, i cili do të pranohet nga të gjitha vendet në botë dhe në të cilin do të besojnë udhëheqësit e botës. Ata duhet të vijnë dhe të vizitojnë vendin tonë, dhe këtu sigurisht se ka një vend të veçantë për Angela Merkel”, tha ai.
Zyrtari taliban theksoi se marrëdhëniet e fuqishme me Gjermaninë janë në interes të Afganistanit.
“Ne, para së gjithash, duam marrëdhënie të mirë me Gjermaninë. Emirati Islam (qeveria talibane) do të jetë qeveria e dëshiruar e afganëve dhe duam që qeveria gjermane të ketë marrëdhënie më të mira të mundshme diplomatike me qeverinë e re”, tha Mujahid.
“Së dyti, ne duam që Gjermania të na mbështesë dhe të na ndihmojë në sektorët humanitarë që mund të mbështeten nga qeveria gjermane. Për më tepër, ne kemi nevojë që të na ndihmojnë në sektorin e shëndetësisë, kemi nevojë që të na ndihmojnë në sektorin e arsimit, dhe kemi nevojë që të na ndihmojnë në sektorin e infrastrukturës. Besojmë se qeveria gjermane mund të na ndihmojë vërtet”, shtoi ai.
Ndërsa Berlini ende nuk e ka njohur qeverinë e re afgane, ai ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmë humanitare për vendin e shkatërruar nga lufta.
Gjermania ka mbyllur ambasadën e saj në Kabul që nga marrja nën kontroll e talibanëve më 15 gusht dhe e zhvendosi ambasadorin Markus Potzel në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Megjithatë, qeveria gjermane ka mbajtur kontakte diplomatike me talibanët.
Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, kohët e fundit tha se Gjermania mund të rihapë misionin e saj në Kabul “nëse do të ishte politikisht e mundur dhe nëse lejon situata e sigurisë”.
Qeveria e Merkelit është përqendruar kryesisht në evakuimin e afganëve që plotësojnë kushtet, ku mijëra vendas që punuan për ministritë gjermane dhe institucionet politike shpresojnë për një rrugëdalje.