image Talebanët ua ndalojnë grave sportin sepse mund të ‘ekspozohen’

Botë

Talebanët ua ndalojnë grave sportin sepse mund të ‘ekspozohen’

news image

Nënkryetari i Komisionit Kulturor të Afganistanit ka thënë se grave nuk iu lejohet të luajnë kriket dhe mbase asnjë sport tjetër.

Kriketi është një lloj sporti mjaft i popullarizuar në Afganistan. Deklaratën e tij e ka cituar transmetuesi publik australian SBS.

“Unë mendoj se gratë nuk do të lejohen të luajnë kriket sepse nuk është e nevojshme që gratë të luajnë kriket”, citoi medium australian të ketë thënë Ahmadullah Wasiq, në një intervistë më 8 shtator.

Sipas tij, ky lloj sporti mund të zbulojë fytyrën dhe trupin e grave prandaj “Islami nuk lejon që gratë të shihen në atë mënyrë”.

Në arsyetimin e tij ai ka thënë se tani jemi në epokën e mediave dhe mund të publikohen fotografi dhe video të grave të cilat pastaj njerëzit mund t’i shikojnë.

Gratë në Afganistan po përballen me një të ardhme të pasigurt pasi talebanët kanë marrë pushtetin. Të njëjtën situatë janë edhe sportistët. Gjatë sundimit të tyre të viteve 1990, talebanët ndaluan shumicën e formave të argëtimit dhe shumë sporte.

Wasiq muajin e kaluar i tha SBS-së se talebanët do të lejonin që sporti i kriketit të luhet nga burrat dhe se kishte dhënë miratimin që ekipi kombëtar i meshkujve të udhëtonte në Australi për një ndeshje në nëntor.

Por, pas deklaratës së fundit të talebanëve për kufizimin e sportit për gratë, Cricket Australia tha më 9 shtator se, nëse informacionet për ndaljen e sportit për gratë dalin plotësisht të vërteta atëherë ndeshja nuk do të zhvillohet.

“Vizioni ynë është që kriketi është një sport për të gjithë prandaj ne i mbështesim gratë në këtë sport”, tha Cricket Australia përmes një deklarate.

Ministri australian i Sportit, Richard Colbeck, kritikoi vendimin e talebanëve për sportin e grave.

“Përjashtimi i grave nga sporti në çdo nivel është i papranueshëm”, tha Colbeck në një deklaratë.

“Qëndrimet e talebanëve ndaj grave dhe të drejtave të tyre individuale nuk duhet të pranohen nga bashkësia sportive ndërkombëtare”, tha ai.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talebanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talebanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara, raporton REL.

Në muajin maj të vitit 2021 filloi tërheqja e forcave të huaja pas 20 vjetësh të prezencës në këtë vend. Talebanët e morën shpejt kontrollin e vendit. Ata tashmë kanë prezantuar një kabinet qeveritar të udhëhequr nga grupi militant./GazetaSinjali/