image Taksistit ia vjedhin dy mijë euro dhe e mbajnë peng

Rajon

Taksistit ia vjedhin dy mijë euro dhe e mbajnë peng

news image

Në Elbasan, pronari i një lokali në bashkëpunim me shokun e tij, i kanë vjedhur një taksisti dy mijë euro si dhe e kanë mbajtur peng për disa orë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së enjte, ku policia ndërhyri pas denoncimit të bërë nga taksisti.

Ja njoftimi i Policisë:

Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan pas denoncimit të marrë nga një shtetas (taksit), i cili kishte qëndruar për kafe në një lokal në Elbasan dhe aty i kishin  vjedhur një shumë eurosh dhe e kishin mbajtur peng për disa orë, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e  autorëve, konkretisht shtetasit:

 Th. B., 33 vjeç dhe E.S., 42 vjeç, banues në Elbasan (përgjegjësi i lokalit dhe shoku i tij).

Arrestimi i tyre u bë pasi në ambientet e një lokali në fshatin Katund i Ri, Elbasan, këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin i kanë vjedhur me dhunë një shumë prej 2000 eurosh dhe e kanë mbajtur peng për disa orë shtetasin A.V., i cili punon taksit dhe kishte ndaluar aty për të pushuar. Këta shtetas kur kanë parë që taksisti kishte një shumë eurosh me vete ja kanë vjedhur me dhunë dhe e kanë mbajtur për disa orë që të mos tregonte.

Gjithashtu po në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësor”, shtetasit E. I., 20 vjeç dhe E.Gj., 20 vjeç, ( kamarierët e lokalit), të dy banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme./oranews