Afrim Kryeziu nga Prizreni, i njohur me nofkën “Bukla”, ka rënë në prangat e Policisë pasi po kërkohej nga Gjykata Themelore në Prizren. Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se ai njihet për mashtrim, ndërsa një nga viktimat e tij ka rrëfyer për Sinjalin se si kishte rënë pre e mashtrimit të Buklës.
Punon si shofer në një taxi dhe i bie shpesh të udhëtojë nga njëri qytet në tjetrin, mirëpo jo rrallë i ndodhë të bëjë rrugë ‘kot’. Taksisti në Prizren (emër i njohur për redaksinë) ka treguar se si është mashtruar nga “Bukla”.
Ai tha se në bazën e taksisë ka ardhur një telefonatë që një taksi të shkojë ta marrë një pasagjere në Prishtinë e ta kthejë në Prizren, por me të arritur te “Bill Cintoni” në Prishtinë, taksisti ka hasur në “Buklën”.
Taksisti deklaroi për Sinjalin se “Bukla” i kishte thënë “nana është t’u prit te banka ‘Raiffeisen’, u shku me i tërhjek do pare. Ti shko merre nanën po gjami mu 50 euro kah t’kthehemi t’i jepi”.
Mirëpo taksisti kishte ‘nuhatur’ që diçka nuk ishte në rregull dhe kishte refuzuar t’ia jepte 50 euro.
“Unë nuk ia dhashë 50 euro se mu dok i dyshimtë, po ia jepa 10 euro e i thashë s’kom ma shumë”, rrëfeu shoferi i taksisë në Prizren.
Me të marr “urdhrin” e “Buklës”, taksisti kishte vazhduar për te banka “Raiffeisen”, ku nuk ishte asnjë person dhe më pas e kishte kontaktuar vetë “Buklën”, i cili nuk ishte lajmëruar më.
Taksisti tregoi që rastin e ka lajmëruar në Polici, mirëpo këta të fundit i kanë thënë që po i marrin shënimet “po s’kemi çka i bojmë”.
“Unë jom shku në Polici e kom lajmëru rastin e m’kanë thënë “ne po i marrim shënimet po skemi çka i bojmë”, po ky (“Bukla”) e ka vëllain polic në Prizren”, tha ai.
Sipas burimeve të Sinjalit, “Bukla” u arrestua nga një njësi policore e Stacionit Policor në Malishevë, pasi i njëjti dyshohet se është i përfshirë edhe në një rast që po hetohet nga ky stacion.
Pas përfundimit të rastit, i dyshuari është dërguar në Stacionin Policor të Prizrenit dhe më pas në bazë të urdhër arrestit është transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për ta vuajtur dënimin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.