Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët pas Kosovës po qëndrojnë për vizitë atje, në kuadër të një turi rajonal.
Ata shoqëroheshin në këtë takim nga Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.
E duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi, presidenti shqiptar, Begaj, theksoi nevojën e përkthimit të dakordësimit publik të Ohrit mes palëve në një marrëveshje të detyrueshme ligjore e të njohur ndërkombëtarisht.
”Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen reciproke do të kishte një ndikim shumë pozitiv për sigurinë dhe progresin e rajonit të Ballkanie Perëndimor”, u shpreh Begaj mes tjerash.
Begaj përshëndeti vizitën e dy senatorëve amerikanë dhe vlerësoi vëmendjen dhe interesin në rritje të Kongresit Amerikan për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
”Vizitat e shumta kohët e fundit, jo vetëm nga zyrtarë të administratës amerikane të ngarkuar me Ballkanin Perëndimor, por edhe të përfaqësuesve të dy dhomave të Kongresit, janë shprehja më e mirë e kësaj vëmendje në rritje”, thotë ai.
Ai vlerësoi gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nënvizoi, se për Shqipërinë e shqiptarët, Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik dhe miku e aleati më i madh i tyre.
Tutje presidenti shqiptar, përshëndeti bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kanë ndërmarrë iniciativa të përbashkëta për të dënuar agresionin e paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, përmes rezolutave të ndryshme.
Në këtë kuadër, siç shkruan abcnews, Begaj, ndaloi edhe tek sfidat e reja me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe rritjen e aktivitetit kërcënues nga aktorë të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike në rajon.
Derisa ka shprehur mirënjohjen gjithashtu edhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen që agjencitë e specializuara amerikane po japin për përballimin e sulmeve kibernetike, që kanë si synim kryesor dëmtimin e infrastrukturës dixhitale të shtetit shqiptar.