image Takimi i Brnabiq me Chollet, kryeministrja serbe ankohet për "provokime" nga Prishtina

Politikë

Takimi i Brnabiq me Chollet, kryeministrja serbe ankohet për “provokime” nga Prishtina

news image

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka takuar sot këshilltarin politik të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Duke dhënë detaje nga ky takim, Kosovo Online raporton se Brnabiq ka theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes, si dhe se do të vazhdojë të të jetë konstruktive në dialogun me Prishtinën.

Bëhet e ditur edhe se, Brnabiq ka falënderuar për qasjen e hapur dhe konstruktive që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me çështjet e hapura në rajon dhe veçanërisht për rolin konstruktiv të tyre në ruajtjen e paqes.

Ndër të tjera, sipas Kosovo Online, Brnabiq ka thënë se shpreson që ky vit të jetë më i qëndrueshëm, për dallim nga ai i mëparshmi, i cili, sipas saj, “kaloi në jostabilitet dhe provokime të shkaktuara nga lëvizjet e njëanshme të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”.

Nga ky takim, mësohet se Chollet dhe Brnabiq kanë vlerësuar bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa është diskutuar edhe për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe ekonomisë.

/GazetaSinjali/