image Takimi i 27 shkurtit i thirrur nga Borrell, a do të bien dakord Kurti e Vuçiq për propozimin evropian?

Politikë

Takimi i 27 shkurtit i thirrur nga Borrell, a do të bien dakord Kurti e Vuçiq për propozimin evropian?

news image

Këtë të hënë është paralajmëruar të mbahet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.

I pari i ekzekutivit, Albin Kurti,ka dhënë sinjale kohët e fundit se do ta pranojë propozimin franko-gjerman. Njësoj ka bërë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti është shprehur vazhdimisht se po shkilej marrëveshja e 18 gushtit 2022 duke mos u organizuar takime të përmuajshme, siç thotë se ka qenë dakordimi i asokohshëm. Një takim urgjent ishte mbajtur më 21 nëntor, por tema për të cilën ishte folur ishte më e parëndësishme: targat ilegale të serbëve.

Por, takimi i radhës tashmë është konfirmuar. Madje, një konfirmim e dha edhe kryediplomati evropian Josep Borrell.

Me ata të dy do të takohem në Bruksel më 27 shkurt. Po, i ftova të vijnë dhe të zhvillojnë bisedime gjatë gjithë ditës, sepse ne kemi një propozim në tryezë dhe shpresoj se ata do të jenë në gjendje ta pranojnë atë propozim si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre,” – u shpreh Borrell për Deutsche Welle.

Në lidhje me atë se çka saktësisht do të diskutohet nuk ka dhënë detaje as Bashkimi Evropian, duke treguar vetëm formatin. Sipas tyre, fillimisht Borrell dhe Lajçak do të takonin Kurtin e Vuçiqin veç e veç dhe më pas do t’i takonin së bashku. Fokusi: propozimi i BE-së në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata megjithatë kanë paralajmëruar detaje shtesë në ditët që vijnë.

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emmanuel Gauffre, u shpreh sot se ishte inkurajuese që do të mbahej një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, e si temë po ashtu e përmendi propozimin evropian (franko-gjerman).

/GazetaSinjali/