image Kurti përballë Vuçiqit në fund të muajit, a është njohja e Kosovës nga Serbia pjesë e planit evropian për normalizim të raporteve?

Politikë

Kurti përballë Vuçiqit në fund të muajit, a është njohja e Kosovës nga Serbia pjesë e planit evropian për normalizim të raporteve?

news image

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian.

BE-ja tha se në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman. Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.

Ndryshe Kurti, ka thënë se planin franko-gjerman e ka konsideruar bazë të mirë për diskutim, pasi sipas tij, ai parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, në një të ardhme të afërt.

Ai në debatin parlamentar për dialogun të thirrur nga PDK-ja ka thënë se njohja e Kosovës nga ky plan është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Kurti ka treguar disa pika se përse e ka vlerësuar si bazë të mirë këtë plan.

“Propozimi për herët të parë vendoste në fokus raportet e jashtme mes Kosovës dhe Serbisë. Bazohej në raportin e reciprocitetit në mes dy palëve. Ka një gjuhë të qartë që reflekton standardin e rregullimit ndërshtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve tona. Përherë të parë ngërthen në vete njohjen de facto të shtetësisë të palëve ndaj njëra –tjetrës. Propozimi përmbante që një marrëveshje finale me njohje de jure në të ardhmen e afërt, dhe do të jetë detyrim për Serbinë para anëtarësimit në BE”, ka thënë Kurt.

Ai ka thënë se e vetmja pikë kontestuese nga ky plan është zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit për të cilin ka thënë se mund të formohet vetëm me zbatimin e gjashtë pikave të propozuara nga ai.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

/GazetaSinjali/