Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati sonte një bisedë telefonike me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Kurti dhe Lord Stuart Peach folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel.
Po ashtu, u theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër, teksa folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon.
Kryeministri e falënderoi Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, teksa u pajtuan që të mbesin në kontakt e komunikim të rregullt.