image Tahiri: Të mbijetuarit e masakrës në Studime i njohin kriminelët, janë të gatshëm të dëshmojnë

Sociale

Tahiri: Të mbijetuarit e masakrës në Studime i njohin kriminelët, janë të gatshëm të dëshmojnë

news image

Me rastin e 22 vjetorit të masakrës në fshatit Studime të Vushtrrisë, kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, ka bërë homazhe për 116 martirët e vrarë nga forcat serbe, raporton Gazeta Sinjali.

Tahiri tha se familjarët e mbijetuar janë të gatshëm të dëshmojnë pasi i njohin kriminelët e Masakrës së Studimes me emra.

“Sot, si në çdo përvjetor, më 2 maj është dita e dhimbjes të madhe për Vushtrrinë. Në këtë ditë, si sot e 22 vite më parë 116 civilë, gra, burra e fëmijë u vranë dhe u masakruan nga forcat militare ushtarake serbe, këtu në Studime, për të vetmen arsyeje, sepse refuzuan të nënshtroheshin dhe sepse flisnin gjuhën shqipe. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite askush nuk është dënuar për këtë krim, i cili është gjenocid…”, ka thënë ai.

“Në Vushtrri në atë periudhë ka pasur kryetar komune, ka pasur komandant të stacionit të policisë dhe komandant të ushtrisë, nëse për asgjë tjetër për përgjithësi komanduese për secilin prej tyre do të duhej sot të kishte aktakuzë dhe dënim për krimin e kryer…Familjarët janë të gatshëm të dëshmojnë, sepse i njohin kriminelët me emër. Vushtrria i njeh ata me emër. Koha po kalon, shumë prej këtyre dëshmitarëve edhe kanë ndërruar jetë, prandaj është tepër me rëndësi që drejtësia të shkojë në vend”, tha ai para gazetarëve.

Homazhe para varrezave të martirëve ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca./Gazeta Sinjali/