image AAK: Rreth 200 mijë familje do të preken nga shtrenjtimi i rrymës - Sinjali

AAK: Rreth 200 mijë familje do të preken nga shtrenjtimi i rrymës

news image

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti, Besnik Tahiri ka thënë se për AAK-në është i papranueshëm rekomandimi i ZRRE-së që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

“AAK-ja në debatin e thirrur ditën e nesërme, një ndër temat kryesore do të ketë raportimin që është bërë dhe propozimin që ZRRE ka bërë për rritjen dhe dyfishimin e çmimeve. Për ne është e papranueshme që dikush që ka paguar 58.52 cent të paguajë me tarifën e re 109 euro e 42 cent. 100% më shumë. Dikush që harxhon deri në 800 kWh që ka paguar 47.19 euro të paguaj 74.17 euro”, ka thënë ai.

Ai foli edhe për kërkesat që i kanë për nesër në seancë. Tahiri tha se do të kërkojnë anulimin e rekomandimit të ZRRE-së.

“Nesër në këtë debat presim dy çështje. Presim fillimisht nga shumica parlamentare, nga VV-ja që të reflektojë dhe të votojë Rezolutën tonë që kërkon nga ZRRE-ja dhe Qeveria, pra që obligon Qeverinë dhe ZRRE-në që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Pra që të anulohet rekomandimi dhe që ky vendim të mos hyjë në fuqi”, ka thënë ai.

Më tutje, deputeti i AAK-së tha se ky vendim i prek rreth 200 mijë familje.

“Sipas të dhënave dhe raportimeve diku mbi 200 mijë familje afektohen. Që nënkupton rreth 700 mijë banorë të Kosovës. A është analizuar kjo pjesë. Kë po e mbron kjo qeveri, qytetarin që i ka premtuar mirëqenie apo korporatën”, tha ai./GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin