Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të siguruar furnizimin e qytetarëve me energji elektrike gjatë stinës së dimrit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, qeveria po shpenzon kohë në përgatitjen e videove propagandistike.
Sipas tij, Qeveri Kurti është duke jetuar jashtë kohës.
“Qeveria aktuale nuk ka siguruar asnjë kontratë për energji duke i lënë kështu qytetarët në mëshirë të kohës. Në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, ajo ka shpenzuar kohën dhe potencialin në përgatitjen e videove propagandistike. Kjo me qëllim të shpërqëndrimit të opinionit nga sfidat dhe problemet reale. Madje në funksion të justifikimit të këtij dështimi, ajo ka prodhuar narracione të edukimit publik e qytetarë. Kjo me qëllim që kur të bien temperaturat, kur të rriten shpenzimet, kur të fillojnë reduktimet, kur të mungojnë blerjet dhe furnizimet me energji, si dhe kur të fluturojnë çmimet, ajo përtej fajësimit të opozitës do të fajësojë edhe qytetarët. Kjo qeveri është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit. Nuk është për t’u befasuar sepse shumica e anëtarëve të këtij kabineti, kurrë në jetën e tyre nuk kanë menaxhuar me staf, burime, dhe as nuk janë përballur me ndonjë sfidë!”, ka shkruar Tahiri.