Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog, Edita Tahiri, ka kritikuar marrëveshjen për targa që u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia, të enjten, në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo vlerëson se me këtë marrëveshje, Qeveria Kurti i ktheu në protektorat ndërkombëtar dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.
“Sot Policia Speciale e Kosovës tërhiqet nga dy pikat kufitare në veri dhe vendosen pjesëtarët e KFOR-it, sipas marrëveshjes së fundit në Bruksel, ashtu siç kërkoi Serbia. Kjo do të thotë se kjo Qeveri aktuale i ktheu dy pikat kufitare nga pavarësia në protektorat ndërkombëtar”.
Madje, Tahiri thotë se ka rrezik që e gjithë pjesa veriore e Kosovës të kthehet në protektorat, nëse, siç thotë ajo, “kjo qeveri vazhdon të jetë e paaftë” në dialog.
“Nëse kjo qeveri vazhdon te jetë e paaftë në negociatat e Brukselit ka rrezik që ta kthejë krejt pjesën veriore në protektorat, që është një synim djallëzor i Serbisë. Po ua kujtoj, se në vitin 2011, unë si kryengociatore me qeverinë e asaj kohe vendosëm kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e Brukselit për IBM-in, kthyem policinë dhe doganat shtetërore të Kosovës në këto dy pika kufitare. Ndërsa sot shihni ku jemi, fatkeqësisht, duke rreshqitur mbrapa ne protektorat”, ka shkruar Tahiri./Gazeta Sinjali/