Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka vizituar kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin, për t’u njohur për së afërmi me ngjarjen tragjike që ndodhi në Milloshevë ku sot vdiqën dy fëmijë.
Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë pranë familjeve dhe çdo qytetari në këso situatash të rënda.
” Qeveria e Kosovës do të jetë pranë familjes, qytetarëve, Komunave dhe komuniteteve, për të përballuar e për të parandaluar këso situata, në mënyrë që rastet si kjo të mos përsëriten”, ka shkruar Tahiri në Facebook./Gazeta Sinjali/
Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:
Vdekja tragjike e dy fëmijëve të moshës 9-të dhe 11-vjeçare në Milloshevë të Komunës së Obiliqit, është moment i rëndë për familjen, institucionet dhe qytetarët e vendit. Me dhimbje të thellë për humbjen e jetës së dy fëmijëve, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tërbunja dhe Salihu, të afërmit, Komunën e Obiliqit dhe të gjithë qytetarët.
Nga kryetari Gashi u njoftova për reagimin dhe mobilizimin e Komunës së Obiliqit, Komandantit të Stacionit dhe zyrtarëve policor, FSK-së, stafit mjekësor dhe ekipeve tjera të emergjencës komunale.
Qeveria e Kosovës do të jetë pranë familjes, qytetarëve, Komunave dhe komuniteteve, për të përballuar e për të parandaluar këso situata, në mënyrë që rastet si kjo të mos përsëriten.