Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryetarit të Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i cili tha se nëse zgjedhet qeveria e re pa shkuar në zgjedhje, mund të ketë vëllavrasje.
“Të bësh ftesë për luftë civile e vëllavrasëse për shkak të pushtetit, në një popull, vuajtjet e të cilit i ka markuar e s’do t’i shlyejë kurrë historia e njerëzimit për shkak të lirisë, është turpi më i madh që mund t’ia atribuojë vetës një person që ndanë bashkë me ne hapësirën e quajtur Kosovë”, ka shkruar Tahiri në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Tutje, ai ka shtuar se Kurti dhe Bahtiri duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është fantazi diktatoriale, por është atdheu ynë.
“Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste të kujtdo që i teket, por është atdheu ynë për të cilin dhamë më të shtrenjtën që kishim, dhe të cilën e kemi obligim deri në frymën e fundit, ta ruajmë për të sotshmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe pa asnjë dyshim, do ta ruajmë”, ka thënë ai./GazetaSinjali/