image Tahiri: Thaçi sot s’po e gëzon lirinë, por vepra e tij jeton, sot jemi mbledhur ta festojmë veprën e tij historike

Kosovë

Tahiri: Thaçi sot s’po e gëzon lirinë, por vepra e tij jeton, sot jemi mbledhur ta festojmë veprën e tij historike

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën e tij të rastit në seancën solemne me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka kujtuar se ka qenë Hashim Thaçi ai që më 17 shkurt 2008 e ka shpallur pavarësinë e Kosovës.

“16 vite më parë Hashim Thaci në emër të popullit të Kosovës i prezantoi kuvendit të Kosovës deklaratën e pavarësisë përmes të cilës shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, ka thënë Tahiri.

Tahiri thotë se Thaçi që shpalli pavarësinë, sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, megjithatë thotë se vepra e tij jeton dhe se sot në Kuvend po festohet vepra historike e Hashim Thaçit.

“Ai që lexoi këto fjalë, nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton, prandaj sot jemi mbledhur që ta festojmë këtë vepër të tij historike”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se ata që po mbahen në burg në Hagë janë në betejë të madhe për drejtësi dhe për ta pastruar emrin e UÇK-së.

“Thaçi, Kadri veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi e shumë të tjerë janë në betejën e madhe për drejtësi për ta pastruar emrin e UÇK-së”, ka thënë tutje Tahiri.

/GazetaSinjali/