Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri është deklaruar për media pasi që deputetët e opozitës lëshuan sallën gjatë fjalimit të kryemistrit Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit.
Tahiri tha se Kurti nuk heziton që në fjalimin e tij të parë si kryeministër në përvjetorin e pavarësisë të bëjë akuza, raporton Gazeta Sinjali.
“Nuk heziton që në fjalimin e tij të parë si kryeministër në përvjetorin e pavarësisë, të akuzojë mediat, të akuzojë opozitën, të akuzojë oponentët e tij. Sot vendi ynë po kalon në krizë të thellë ekonomike, krizë të rëndë energjetike. Kur ne e ftojmë të diskutojë për këto sfida ai nuk e gjen kohën, sot në përvjetorin e pavarësisë e gjen kohën të plasojë shumë të pavërteta. Është mjerim për keqardhje se si e trajton shtetin vetë kryeministri i Kosovës”, tha Tahiri.
Po ashtu, Tahiri tha se Kurti ka marrë një drejtim të gabuar.
“Ta prishësh ditën solemne, një sakrificë e madhe që ka kulmuar pas gjithë atyre heronjve të rënë është e papranushme. Pra ky njeri e ka marrë një drejtim shumë të gabuar, ne si parti opozitare nuk lejojmë devijimin e agjendës shtetërore, nuk mund të lejojmë një njeri që në ditën e përvjetorit denigron të gjitha të arriturat”, deklaroi Tahiri.
Tahiri përveç tjerash tha se shpreh keqardhje ndaj qytetarëve për sjelljen e kryeministrit Kurti.
“Dua të shpreh keqardhje për të gjithë qytetarët për sjelljen e kryeministrit tonë. Kjo ditë duhej të na bashkonte, që Albin Kurti të kishte rol unifikues, presidentja të kishte rol unifikues dhe fatkeqësisht po del të jetë e vërtetë ajo që kemi thënë në vazhdimësi se këta njerëz nuk janë unifikues”, u shpreh Tahiri.