image Tahiri: LVV u bë bashkë me armikun e Kosovës për të ardhur në pushtet

Kosovë

Reagimi/ Tahiri: LVV u bë bashkë me armikun e Kosovës për të ardhur në pushtet

news image

Kanë vazhduar edhe sot reagimet nga Partia Demokratike e Kosovës ndaj deklaratës së nënkryetares dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.

I fundit është ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili tha se Mulhaxha-Kollçaku dhe Lëvizja Vetëvendosje janë bërë bashkë me armikun e Kosovës vetëm për të ardhur në pushtet, shkruan Gazeta Sinjali.

“Anatomia e propagandës dhe mashtrimeve të LVV-së Fatmire Mulhaxha Kollçaku mbrëmë shpërfaqi tërë makinerinë që LVV përdor për të mashtruar popullin, për të manipuluar popullin, për të përçarë popullin, për të futur urrejtje dhe ndasi, duke u bërë bashkë me armikun e Kosovës vetëm për të ardhur në pushtet”, ka thënë Tahiri.

Vijimi i postimit të Abelard Tahirit:

Çfarë bëri Fatmire Mulhaxha Kollçaku:

  1. I mori fjalët e Predrag Markoviq, nënkryetar i Ivica Daçiqit, të dy këta pasardhës të Slobodan Milosheviqit dhe e paraqiti atë si njeri kredibil edhe në Kosovë.
  2. Nuk u morr me faktin që duhesh të frikësohesh dhe të mendohesh mirë kur të lavdëron armiku.
  3. Nuk e citoi, por fjalët e Markoviqit i “qëndisi” në stilin e propagandës bolshevike e sovjetike duke i thurur lavde liderit, edhe pse këto lavde bëhen qesharake kur për Albin Kurtin thotë se “është i shpejtë si kompjuteri”.
  4. Tregoi se LVV është e gatshme të njollosë e të marrë nëpër këmbë çdo vlerë, çdo parim, çdo gjë të shenjtë duke implikuar me fjalët e saja, përsëri në stilin e propagandës sovjetike, se UÇK ishte kriminale dhe çdonjëri që ka qenë në UÇK është kriminel.
  5. Kur e pa që propaganda e saj dështoi, Fatmire Mulhaxha Kollçaku e fshiu postimin e saj në Facebook. E ka fshirë sepse ka qenë propagandë, gënjeshtër, manipulim, ofendim.
  6. Në vend se të tërhiqet, Fatmire Mulhaxha Kollçaku akuzon se kinse ata që u indinjuan, u prekën, u ofenduan, u lënduan, “nuk e paskan lexuar citatin deri në fund” dhe vazhdoi të gënjejë duke thënë se “asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim”.
  7. Falë mediave e kuptojmë se nuk ka qenë citat fare por mashtrim, manipulim propagandë.

Kjo është çfarë ka thënë Predrag Markoviq, nën-kryetar i partisë së Sllobodan Milosheviqit për Radio Televizionin e Serbisë:

“Taksa është provokim dhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Vet Albin Kurti ua ka vënë flakën produkteve serbe. Albin Kurti është negociatori më i rrezikshëm i mundshëm shqiptar. Ai nuk është kriminel lufte, nuk është kriminel, flet ëmbël, e flet në mënyrë perfekte anglishten, e njeh kompjuterin, gruan e ka norvegjeze. Pra është një gjeneratë e re e politikanëve shqiptarë që është më i mençur dhe di të flas atë që veshët e Perëndimit duan ta dëgjojnë, kështu që pozicioni ynë tash me bisedimet objektivisht rëndohet me Albin Kurtin. Albin Kurti ka ardhur në pushtet me dy slogane. Njëra është lufta kundër korrupsionit dhe tjetra urrejtja ndaj serbëve pra gjysma e premtimeve të tij janë urrejtje ndaj serbëve”.

Ndërsa kjo është çfarë ka shkruar dhe pastaj e ka fshirë Fatmire Mulhaxha Kollçaku:

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, inteligjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data.

Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pa-kompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, ka thënë analisti politik nga Beogradi.

  1. A janë këto metodat e Albin Kurtit dhe LVV-së? Ta shohim a do të distancohen menjëherë prej këtyre metodave të mashtrimit, të propagandës, të përçarjes e të mbjelljes së urrejtjes.
  2. Albin Kurti dhe LVV-ja, jo vetëm që duhet të distancohen nga Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe nga deklaratat e saja, por mbi të gjitha duhet t’i kërkojnë falje UÇK-së, popullit të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.
  3. Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe të gjithë ata që e aplauduan atë, duhet të tërhiqen të turpëruar nga jeta publike.