Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, ka kritikuar Qeverinë lidhur me skandalin 100 milionësh të raportuar nga mediat sllovene, ku përmendet emri i kryeministrit Kurti dhe i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Më tej Tahiri, tha se mediat sllovene kanë botuar një hulumtim, ku sipas tij, hulumtohen lidhje e ambasadorit Martin Berishaj, me kompaninë sllovene GEN.
“Sipas gazetës, dyshohet se Martin Berishaj, është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin MB Consulting dhe ku aty madje theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr para të thata nga llogaritë bankare të kompanisë së tij mbi 600 mijë euro në vitin 2019-2020”, tha Tahiri.
Më tej ai theksoi se ky skandal sa vjen e po thellohet më tepër. Hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania GEN e të cilat dyshohet se është financuar fushata edhe e kryeministrit Kurti, përmes filialit të GEN-it në Tiranë ku janë transferuar 14 milionë euro.
Sipas tij ndërlidhja me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është pjesa më shqetësuese teksa shtoi se kjo çështje duhet adresuar menjëherë.
“Prandaj, LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë mbi imazhin e kryeministrit të Kosovës të adresohen menjëherë nga Qeveria Kurti se a janë të vërteta deklarimet e hulumtimet e gazetës sllovene”, tha Tahiri.
Më tej ai pyeti se a janë përdorur paratë e GEN-it për të investuar në fushatën e kryeministrit Kurti dhe a përdoren këto para për të paguar njerëz që t’i përbaltin kundërshtarët politikë të kryeministrit Kurti në komente online, në media dhe në organizata të tjera.