Ish-ministri i drejtësisë, tani deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i gatshëm të rrezikojë jetën e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Tahiri thotë se refuzimi i Kurtit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme isht vetëm për teket e tij politike.
“Refuzimi i tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, flet vetëm për një fakt: Gatishmërinë e tij për ta rrezikuar jetën e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare, vetëm për teket e pushtetit e tij dhe insinuatat e pashpjegueshme që i ka në kokë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Madje, deputeti i PDK-së thotë se kryeministri në detyrë dëshmoi se nuk e njeh Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Pra, Kryeministri i shkarkuar e kishte hallin vetëm te pushteti i tij, sepse në maninë e tij, pushteti nuk ndahet me askënd. Këtë masë preventive e gatishmërie për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, ai e interpretoi si puç ndaj tij, ani pse me këtë rast, u dëshmua thellë mosnjohja e plotë nga ana e tij e Kushtetutës, sepse megjithatë përgjegjësitë dhe kompetencat e qeverisë mbeten të njëjta, përjashtimisht aspekteve që lidhen me menaxhimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe masave e veprimeve për të cilat qeveria i subordinohet vendimeve të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, deklaroi Tahiri./Gazeta Sinjali/