image Tahiri i drejtohet pozitës për Komisionin Hetimor: Çfarë po fshihni?

Politikë

Tahiri i drejtohet pozitës për Komisionin Hetimor: Çfarë po fshihni?

news image

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka përkrahur formimin e Komisionit Hetimore Parlamentar të propozuar nga opozita.

Kjo ka bërë që në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të shkaktohet debat mes deputetëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje  që të votojnë formimin e një Komisioni Hetimor, që sipas tij do të hetojë disa nga proceset që kanë ndodhur së fundmi në vend, përfshirë punësimet në KEK, shtrenjtimin e tarifave të energjisë e të tjera.

Fillimisht Tahiri tha se ai nuk është iniciues për formimin e këtij Komision, por është vetëm nënshkrues.

 “Iniciuesi është PDK-ja. Unë nuk jam në PDK. Unë jam kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së dhe si deputet kam nënshkruar një kërkesë të iniciuesit që shpeshherë ka ndodhur që kolegë deputetë të këtij grupi të mos nënshkruajnë një kërkesë të opozitës që rrjedhimisht nuk janë iniciues”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, i kërkoi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës që të votojnë këtë Komision, nëse duan bashkëpunim afatgjatë me opozitën.

“Kam kërkesë për ty kryetar dhe znj. Kusari -Lila. Është e domosdoshme që nëse dëshirojmë me pas një frymë të një bashkëpunimi afatgjatë për çështje të rëndësishme kërkojmë që ta merrni seriozisht dhe të votoni. Ju themi troç, nuk do të kalojë dhe nuk do të heshtim dhe nuk do të pranojmë mos themelimin e këtij Komisioni”, tha ai.

Më tutje, ai deklaroi se nëse pozita mendon se ky Komision është antikushtetues, çështja sipas tij mund të dërgohet edhe në Gjykatë Kushtetuese.

“Nëse ju mendoni që ky Komision është jokushtetues adresoni çështjen në Gjykatë Kushtetuese. Mem ba mua iniciues kur nuk jam iniciues, jam nënshkrues. Deputetët e AAK-së janë nënshkrues të një inicimi që e ka nisur PDK-ja. Pyetja shtrohet këtu z.Konjufca dhe deputetëve. Çka jemi tu mshef. Pse nuk po bëjmë hetim parlamentar për çështja thelbësore që janë nis”, tha Tahiri.

“Pse mos me pas një hetim parlamentar ku shumica e anëtarëve janë VV dhe të shohim se a ka reaguar qeveria me kohë në krizën energjetike. Tarifat a janë të drejta apo jo, cila është rrjedha, lidhja në mes të KEDS, KEK e kështu me radhë. Punësimet në KEK. Pse mos me bë një hetim, çfarë po fshihni”, tha ndër të tjera ai.

/GazetaSinjali/