image Tahiri: Fundi i mashtrimit, Kurti e pranoi Asociacionin

Politikë

Tahiri: Fundi i mashtrimit, Kurti e pranoi Asociacionin

news image

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti deklaroi se do ta pranojë Asociacionin me disa kushte.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ky është fundi i një mashtrimi.

FUNDI I MASHTRIMIT…Kurti pranoi Asociacionin sot në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka folur në mënyrë më eksplicite se asnjëherë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se praktikisht mund ta pranonte Asociacionin nëse do të përmbusheshin gjashtë kushte të tij.

“Sa i përket marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Bruksel, ky është qëndrimi im dhe i qeverisë që unë e drejtoj: Asociacioni i Komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo marrëveshja e parë e parimeve siç njihet ndryshe, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte: 1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. 2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5)”, ka thënë Kurti, duke përmendur edhe tri kushtet tjera.

“3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. 4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale. 5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Ai ka bërë me dije se kushti i fundit është që Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian që paraqet edhe shkelje të marrëveshjeje se 19 prillit të vitit 2013.

/GazetaSinjali/