image Tahiri: Anëtarësimi në KE të mos ndërlidhet me procese tjera politike, është e drejtë e Kosovës për të qenë pjesë

Politikë

Tahiri: Anëtarësimi në KE të mos ndërlidhet me procese tjera politike, është e drejtë e Kosovës për të qenë pjesë

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të ndërlidhet me procese të tjera politike.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, gjatë takimit me ambasadorët, vendet e të cilëve janë anëtar të Këshillit të Evropës, i ka falënderuar për mbështetjen e tyre në rrugëtimin e Kosovës.

“Në takimin e mbajtur sot me Ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, vendet e të cilëve janë anëtarë të Këshillit të Evropës, fillimisht i falënderova për mbështetjen e tyre në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim, duke theksuar se Kosova, kushtetuta e saj, dhe ligjet më të rëndësishme i kanë përfillë dhe mishëruar vlerat që i përfaqëson ky institucion në legjislacionin përkatës. Po ashtu, theksova nevojën që qytetarët e Kosovës të kanë qasje në instrumentet që ky institucion i ka, në veçanti në Gjykatën për të drejtat e njeriut”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka kërkuar nga ambasadorët që ky proces mos të ndërlidhet me procese tjera politike, si ajo e dialogut dhe çështjeve tjera, por si një e drejtë qytetare dhe e drejtë e shtetit të Kosovës për të qenë pjesë e këtij institucioni.

“Kosova përgjatë këtyre viteve ka dëshmuar që të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit e ka në agjendën e vet primare dhe anëtarësimi i Kosovës është imperativ i kohës. Në të njëjtën kohë, si vend e kemi pasur një qasje shumë konstruktive dhe mbështetëse ndaj njërit prej anëtarëve, në këtë rast Ukrainës, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të qenë në vijë me botën perëndimore”, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/