image “Ta pres veshin me thikë” - E kritikoi hoxhë Bajramin, linçohet e kërcënohet gazetarja Behadini

Rajon

“Ta pres veshin me thikë” – E kritikoi hoxhë Bajramin, linçohet e kërcënohet gazetarja Behadini

news image

Gazetare dhe prezantuese në televizioni Alsat M të Maqedonisë së Veriut, Rita Behadini, është kërcënuar e linçuar nga shumë persona si pasojë e një komenti që Behadini kishte ndaj Omer Bajramit, hoxhë i njohur nga ky vend, e që ndiqet nga 140 mijë vetë.

Behadini i reagoi hoxhë Bajramit në lidhje me një shkrim të këtij të fundit, ku shkruante në lidhje me “ankesat e grave” se burrat duhet t’u ndihmojnë në punë të shtëpisë (pra një intepretim mizogjen e seksist i ndarjeve të punëve, që e lidhë këtë ndarje të konstruktuar nga shoqëria patriarkale si të vërtetë natyrore!).

“Në shumë raste gratë ankohen se kanë shumë punë të shtëpisë dhe se duhet edhe burrat t’u ndihmojnë atyre. Ndërsa në të njëjtën kohë dëshirojnë të punojnë edhe jashtë shtëpisë. Tash.. ose kanë shumë punë në shtëpi, e që s’kanë hapësirë për të punuar jashtë, ose kanë pak punë në shtëpi, e që s’kanë arsye për t’u ankuar.” – shkroi hoxhë Bajrami.

Postimi i lartë cekur është shkrimi ku reagoi gazetarja Behadini, duke e quajtur Bajramin si “kancer të shoqërisë shqiptare”.

“Kanceri i shoqërisë shqiptare

Hiç nuk është habi pse ka kaq shumë dhunë në familje. Hiç nuk është habi pse çdo ditë shohim burra të dhunshëm, se ato burra dëgjojnë të tillë “hoxhallarë” çdo ditë. Nxitës të urrejtjes, nxitës të dhunës, nxitës të prapambeturisë. Na e shpifni çdo ditë jetën në këtë vend.” – shkroi ajo.

Ndaj shkrimit të Behadinit, reagoi edhe hoxhë Bajrami, reagimin e të cilit mund ta lexoni këtu.

Për shkak të këtij reagimi publik, Behadini është linçuar e kërcënuar nga shumë njerëz. Madje kërcënimet shkuan deri te heqja e veshëve me thikë! Një qytetar me emrin Fisnik Hoxha e kërcënoi dhe e shau zonjën Behadini, duke i kërkuar ta largojë reagimin e saj, në rast se nuk e bënë një gjë të tillë, atëherë do të vepronte.

“Rita Behadini fshije postin se avradin de ta qi. Neser para Alsatit de vi de ta pres veshin nthik , po ma mir tbjen me fshi postin . Ti ke met me i than hoxhes Omer kancer , aj se familjen npith ta qi maje men” – shkroi qytetari Hoxha.

Përveç këtij qytetari, kishte edhe shumë të tjerë që e kërcënuan në rrjete socile.

Një gjuhë e tillë i shtyu të reagojnë edhe shumë gazetarë nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga Kosova. Flutra Kusari, juriste e medies nga Kosova, i doli në krah zonjës Behadini.

“Rita Behadini. Respekt dhe mbeshtetje per ty” – shkroi Kusari.

Në lidhje me këtë temë, ka shkruar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, duke kërkuar reagim të mënjëhershëm ndaj kërcënimeve eksplicite të drejtuara ndaj gazetares

“Ky kërcënim i qartë për jetën ndaj gazetares Behadini është raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në Departamentin e Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale dhe në të njëjtën kohë SHGM do të insistojë për një hetim të shpejtë dhe efikas në interes të gjetjes dhe sanksionimit të autorit apo autorëve të këtij kërcënimi.

Theksojmë se kërcënimi me jetë është krim i përfshirë në Kodin Penal, dhe për autorët parashikohet dënim me burg. Prandaj, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike duhet menjëherë t’i hetojnë dhe procedojnë me qëllim ndëshkimin e shkelësve të ligjit, por edhe parandalimin e krimeve të tilla të mundshme në të ardhmen”, shkruhet ndër tjera në këtë ragim të ShGM-së.

/GazetaSinjali/