image “Më vrit se nuk mundem pa ty me jetu”, gjilanasi kërcënon ish të dashurën - Sinjali

“Më vrit se nuk mundem pa ty me jetu”, gjilanasi kërcënon ish të dashurën

news image

Çdo ditë në Kosovë raportohen raste të shumta të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë. Një rast dhune dyshohet se ka ndodhur edhe dje, ku një grua nga Gjilani e ka denoncuar në Polici në orët e mbrëmjes personin me të cilin kishte bashkëjetuar, për dhunë fizike ndaj saj. Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në rrugën “Lufta e Gjilanit 44” në Gjilan.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se viktima ka denoncuar rastin në Polici nga frika dhe dhuna që i ka shkaktuar personi me të cilin kishte bashkëjetuar rreth tre muaj, për dhunë fizike. Ajo ka deklaruar se i dyshuari dje në orët e mëngjesit përmes telefonit, e kishte kanosur atë që “Nëse largohesh nga unë kam me të vra”.  E njëjta ka deklaruar se edhe para një muaji i është shkaktuar dhunë fizike dhe psikike si dhe me datën 23 qershor i dyshuari duke i dhënë pistoletën viktimës i kishte thënë që “më vrit se nuk mundem pa ty me jetu”.

Sinjali mëson se Policia me të marrë informatën, ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë SIG e cila e kishte fishekun në tytë, një karikator me 6 fishekë, dy pako me fishekë, njëra 25 dhe tjetra 31 fishekë si dhe një brisk ngjyrë hiri.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari pas intervisitimit është dërguar në mbajtje për 48 orë si dhe është hapur rast për veprat  “Dhunë në familje”, “Kanosje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin