Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë. Ndërkohë njohës të rrethanave politike konsiderojnë që diplomacia kosovare duhet të lobojë më shumë të këto shtete.
Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E sigurisht që mosnjohja e tyre ka ndikuar dhe po vazhdon të ndikojë në rrugën integruese të Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar Szunyog për Radio Kosovën.
Ndërkohë edhe njohës të çështjeve politike në vend janë të mendimit që këto vende për ta njohur pavarësinë e Kosovës presin zhvillime në dialog. Por të njëjtit konsiderojnë që Kosova duhet të lobojë më shumë. Analisti Dorajet Imeri, ka thënë për Radio Kosovën se mos njohja e këtyre shteteve evropiane deri më tash i ka kushtuar shumë Kosovës.
Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, Qipro janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, që nga shpallja e pavarësisë 117 vende e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë.