Zëvendësministri i parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e përjashtoi mundësinë e shkarkimit të shefit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, i cili u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Sveçla tha se çdo vendim i marrë nga Haradinaj, pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit do të rivlerësohet e ndoshta edhe të anulohet.
“Z. Kurti ishte shumë i qartë. Ishte një vendim i marrë nga qeveria në dorëheqje. Çuditërisht patën guximin që të marrin vendime edhe pas dorëheqjes. Prandaj të gjitha këto vendime do të rivlerësohen ose edhe të anulohen”, tha Sveçla në Interaktiv.
I pyetur se çfarë do të bëjë MPB-ja nëse ky proces bllokohet nga presidenti Thaçi, pasi emërimi i shefit të AKI-së bëhet në koordinim me të, Sveçla tha se nëse ndodhë një gjë e tillë, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetutës.
Kujtojmë që Kreshnik Gashi u emërua shef i AKI-së nga ish-kryeministri Haradinaj, i cili në atë kohë ishte kryeministër në dorëheqje, anipse ishte paralajmëruar nga Albin Kurti që një emërim të tillë do ta bëjë qeveria e re./Gazeta Sinjali/