Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencën e mbajtur ku së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhanë detaje për rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku kanë kapur një sasi të konsiderueshme të armatimit i cili ishte planifikuar për sulm terrorist, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë këtyre deklarimeve u konfirmua se ky sulm terrorist ishte planifikuar ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, insitucioneve të saja si dhe kundër forcave të sigurisë që janë në veri, përfshirë këtu edhe KFOR-in.
Sveçla tha se pavarsisht përpjekjeve për destabilizim të Kosovës, një gjë e tillë nuk do të lejohet të ndodh, teksa Republika jonë është e cënuar nga ajo e Serbisë.
“Fokusi ynë duhet të jetë në punën sa më të madhe, sa më të mirë, sa më të koordinuar të të gjithë neve që të mbrojmë Republikën tonë e cila është e cenuar, e cenuar seriozisht nga Republika e Serbisë, por edhe më gjerë. Njëri nga jelekët antiplumb ka shenjën e njësive speciale ruse. Që do të thotë ose kemi një pjesëtar të kësaj njësie në Kosovë, ose kemi ndonjë serb që ka qenë pjesë e luftarëve atje dhe është kthyer këtu për të vazhduar luftën kundër Republikës së Kosovës”, u shpreh Sveçla.
Ai gjithashtu foli dhe njëkohësisht falenderoi gazetarët e Kosovës të cilët pavarsisht rrezikut të madh po qëndrojnë në veri për të dëshmuar realitetin e asaj zone.
“Po punojmë që të rritet siguria ndaj gazetarëve, tashmë MPB ka vënë në dispozicion jelekët antiplumb dhe helmeta për gazetarët, të cilat mund të mirren në Drejtorinë e Policisë në Mitrovicën e jugut.
“Policët në terren kanë direktiva të qarta se është një ndër detyrat e tyre prioritare mbrojtja e gazetarëve nga sulmet e ndryshme, kjo edhe ka ndodhur. Të jemi të qartë, garanci 100 për qind nuk ka as për zyrtarët policorë, nuk do të ketë as për gazetarët që kryejnë punën e tyre, prandaj unë i falenderoj që po ndërmarrin rreziqe për të dëshmuar realitetin atje”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla.