Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla është takuar sot me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.
Në këtë takim është diskutuar për situatën në të cilën gjendet vendi ynë, në këtë kohë të pandemisë globale me Covid 19, për angazhimet që janë duke i bërë institucionet e Kosovës në parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe në përgjithësi për menaxhimin e situatës.
Ministri Sveçla theksoi se tashmë kemi hyrë një fushatë intensive vetëdijesuese, ku është e domosdoshme përcjellja mesazheve që janë duke u bërë nga institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për tu kërkuar qytetarëve të Kosovës që t’i zbatojnë vendimet që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Ai kërkoi që në kuadër të këtyre përpjekjeve të intensifikohen thirrjet edhe ng Bashkësia Islame në Kosovë. “Për MPBAP-në përfshirja e BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare në Kosovë në fushatën vetëdijesuese, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë që t’u kërkojnë qytetarëve t’i reduktojnë daljet e tyre vetëm atëherë kur vlerësohet se është e domosdoshme”, theksoi Sveçla. Në fund të takimit, Myftiu Naim Tërnava, vizitoi Qendrën Operative ku po punojnë Grupi Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve 24/7.
Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, përgëzoi institucionet e Kosovës për angazhimin që janë duke bërë në menaxhimin e kësaj situate.
Ai tha se në këtë sfidë do të kenë patjetër mbështetjen e BIK-ut, në mënyrë që bashkërisht të luftojmë me të gjitha forcat edhe me ndihmën e Zotit ta tejkalojmë këtë sfidë m përmasa globale./GazetaSinjali/