Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas gjetjeve të Institutit të Zvicrës lidhur me rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka akuzuar Prokurorinë Speciale, duke thënë se është nxituar për të alarmuar mbi raportin e ekspertizës, pasi që sipas tij, u publikuan vetëm 2 konkluzione nga 5 sa janë në tërësi.
“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha ai.
Ministri i Brendshëm shtoi se ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim dhe tha se do të angazhohet brenda kompetencave që ka që të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Deharin.
“Ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme. Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, do të angazhohem që përbrenda kompetencave që kam, të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Astritin“, tha tutje ai.
Kujtojmë që lidhur me raportin e ekspertizës së institut zviceran, ka reaguar pak më parë edhe Ministria e Drejtësisë e cila akuzoi Prokurorinë Speciale të Kosovës për propagandë të rezultatit, duke thënë se kjo dëshmon mangësi të theksuar intelektuale, mungesë të njohurive shkencore, gjuhë jo profesionale dhe qëllim dashakeq.
Ndryshe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij.
Bëhet fjalë për një brisk rroje, një stilolaps të lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali.
Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale njoftoi se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Astrit Dehari u gjet i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Astrit Dehari është tronditja qytetare ndaj shtetit për të cilën nuk mund të ketë qetësi deri në zbardhjen e plotë të rastit të tij.
Jam shumë i vetëdijshëm që institucionet edhe mund të përballen me sfida të cilat janë komplekse dhe të ndjeshme njëkohësisht. Veçanërisht institucionet e rendit dhe të drejtësisë.
Si Ministër i Punëve të Brendshme, e kuptoj rolin dhe përgjegjësinë që kanë të gjithë ata të cilët përmes detyrave të tyre i kontribuojnë sigurisë, zbatimit të ligjit, dhe kryerjes së punëve me përgjegjësi. Por jam i bindur që papërgjegjësia e kujtdo, veçmas kur shpërfaqet si tendencioze dhe qëllimkeqe duhet të sanksionohet.
Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës.
Ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme.
Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, do të angazhohem që përbrenda kompetencave që kam, të kontribuojë pa kursim në sjelljen e drejtësisë për Astritin.
Si shok i Astritit, s’do të rreshti së kujtuari atë dhe qëllimet tona të përbashkëta, për idealet që s’na vdesin kurrë.