image Sveçla pas operacionit 'Brezovica': Lufta ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë

Siguri

Sveçla pas operacionit ‘Brezovica’: Lufta ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi sot me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ka filluar sekuestrimi i rreth 100 objekteve, në rastin e njohur në publik si ‘Brezovica’.

Sveçla këtë e ka vlerësuar si operacion të suksesshëm, duke i përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet e tjera për punën e bërë.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet tjera për realizimin e suksesshëm të aksionit të radhës në luftën e pakompromis ndaj krimit, korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, në aksionin ‘Brezovica’ pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës”, deklaroi Sveçla.

Më tutje, ministri Sveçla tha se lufta ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.

“Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente. Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashkëtës”, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/