Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndodhet në Bruksel. Atje ministri ka takuar përfaqësues të ndryshëm nga DG HOME dhe DG NEAR në kuadër të Komisionit Evropian, ku kanë biseduar për arritjet konkrete në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit.
Sveçla nëpërmjet një statusi në Facebook, ka shkruar se në këtë takim ka kërkuar nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit.
“Në kuadër të vizitës sime në Bruksel pata nderin të takohem me përfaqësues të ndryshëm nga DG HOME dhe DG NEAR në kuadër të Komisionit Evropian. Gjatë këtyre takimeve biseduam për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë. Me këtë rast ritheksova nevojën urgjente që qytetarëve të Kosovës të iu mundësohet liberalizimi i vizave dhe Kosova të trajtohet e barabartë me vendet tjera të rajonit”, ka shkruar Sveçla.
Tutje ai ka shkruar se Luchner nga DG HOME ka rikonfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe KE mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Johannes Luchner nga DG HOME, rikonfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe KE mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Gjithashtu diskutuam dhe për projekte konkrete për mbështetje të MPB-së, Policisë së Kosovës në luftimin e krimit ndërkufitar”, ka përfunduar Sveçla.