image Sveçla: Ishim të përgatitur fizikisht për t’i larguar barrikadat në veri - Sinjali

Sveçla: Ishim të përgatitur fizikisht për t’i larguar barrikadat në veri

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerëson se vendimi i 20 shtatorit i Qeverisë së Kosovës për zbatim të reciprocitetit për targat serbe ka dhënë rezultat.

Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes tha se rezultati është se Serbia e pranoi reciprocitetin.

“Ishte mjaft shqetësuese prania e artilerisë së rëndë serbe në prani të kufirit dhe shqetësuese ishte edhe prania e ambasadorit rus. Të gjitha tentativat e strukturave kriminale dhe të Serbisë që të mobilizojnë qytetarët serbë për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë në masë të madhe kanë dështuar”.

Gjatë kësaj periudhe, por edhe tani koordinimi ynë i brendshëm ishte i shkëlqyeshëm. Ngjarjet u zhvilluan në atë mënyrë që vendimi i 20 shtatori solli rezultate në tavolinën e dialogut ku Serbia pranoi reciprocitetin”, tha Sveçla.

Tutje Sveçla tha se kanë qenë të përgatitur fizikisht që t’i largojnë barrikadat.

“Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga Policia dhe politik nga Qeveria që të zgjidhet rruga më e mirë e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”.

Kujtojmë se për dy javë pikëkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinjë e Bërnjak mbetën të bllokuara pas vendimit të 20 shtatorit.

Protestues serbë bllokuan rrugët me automjete duke kundërshtuar vendimin. Ndërsa më 30 shtator nga një marrëveshje në Bruksel, Kosova e Serbia gjetën gjuhën e përbashkët për shtensionim.

Zgjidhja ishte një marrëveshje e përkohshme ku shtetet do të vendosin stikerë në simbolet shtetërore të shtetit tjetër në targa teksa sipas po të njëjtës marrëveshje duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme.

Ministri Sveçla po ashtu ka bërë të ditur se deri tash janë lëshuar mbi 17 mijë stikerë të tillë, 13 mijë prej tyre nga pikat kufitare. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin