Ushtruesi në detyrë i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka emëruar në pozitën e këshilltarit të jashtëm J.K.Chaney, shkruan Gazeta Sinjali.
Sveçla thotë se Chaney është specialist i çështjeve të sigurisë dhe ka përvojë të gjatë këshillimi në nivele të larta vendimmarrëse.
“Në përvojën e tij përfshihet puna këshilluese e ekspertiza në ShBA, në nivel të Kongresit, Senatit e Departamentit të Shtetit, por edhe në Lindje të Mesme e Afrikë, ku ka këshilluar krerë shtetërorë, qeveri, organizata ndërkombëtare dhe korporata të mëdha”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla thotë se Chaney do të punojë pa pagesë për Kosovën.
“Me përgatitjen e tij si ekspert i sigurisë, organizimit operacional dhe menaxhimit të krizave, stafi ynë fiton vlera e cilësi. Kontributi i tij, i cili është “pro bono”, pra është këshillim pa pagesë dhe pa kosto për Kosovën, do të jetë tejet i rëndësishëm, duke pasur parasysh situatën e veçantë në të cilën gjindemi me pandeminë. Kemi shumë punë para vetes, por me ndershmëri, vendosmëri dhe ekspertizë, do t’i’a dalim”, ka njoftuar ai. /Gazeta Sinjali/